TIRANË, 24 janar /ATSH/ Nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se do të çelet një kapitull i ri progresi për shërbimin publik spitalor në bashkëpunim me Sheba Medical Center, një nga ekselencat botërore të mjekësisë që nga sot është zyrtarisht partneri strategjik i QSUNT.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal tek aspekti i investimeve në teknologji, ku theksoi se nuk është “thjeshtë çështje fondesh, por është çështje dijesh”.
“Pra është një çështje e një plani strategjik investimi në teknologji dhe kur vjen puna tek teknologjia, nuk besoj se ka njeri që nuk e di që Izraeli është një lider botëror dhe kur vjen puna tek teknologjia, spitali Sheba është një nga pararojat e zhvillimeve teknologjike në mjekësi, kështu që edhe në këtë aspekt ne kemi diskutuar, edhe plani i investimeve në spital do të jetë një plan që tanimë do të ketë një oponencë të vazhdueshme dhe do të jetë i asistuar nga këshillat e vazhdueshme të miqve tanë në Izrael dhe kjo do të na lehtësojë jashtëzakonisht punën, për të bërë në çdo hap, hapin e duhur dhe për ta bërë në drejtimin e duhur”, tha Rama.
Rama theksoi më tej se “dhe e treta që unë e konsideroj shumë të rëndësishme, është nga njëra anë, ndihma strategjike për burimet njerëzore të spitalit, për mjekët, për administratorët, për të gjitha nivelet e punës, qoftë për vizita pune afatshkurtra në Izrael, qoftë edhe për vizita-qëndrime afatgjata njëvjeçare për mjekë të caktuar që do të përzgjidhen, e përsëris, që do të përzgjidhen se kjo është shumë e rëndësishme, nga miqtë tanë, jo nga miqtë e miqve tuaj”.
Rama shtoi se “edhe në këtë aspekt, kemi garancinë e plotë që edhe nxitja e mëtejshme për të rritur kapacitetet tona njerëzore, do të bëhet mbi baza meritokratike dhe mbi baza të nevojave reale që ka spitali”.
Po ashtu, theksoi kryeministri, do të ketë edhe ndihma konkrete për pacientë të caktuar duke pasur parasysh nevojën në raste të caktuara për një trajtim që duhet bërë gjetkë.
“Dhe nga ana tjetër, ndihma direkte, konkrete për pacientë të caktuar, duke pasur parasysh nevojën në raste të caktuara për një trajtim që duhet bërë gjetkë, sepse e dimë shumë mirë, nuk është çështje e Shqipërisë apo e QSUT-së, por ka trajtime dhe ka ndërhyrje që mund të bëhen në shumë pak vende të Evropës apo edhe të botës dhe jam shumë mirënjohës, në mënyrë të posaçme për një angazhim të spitalit Sheba për të trajtuar rastet e rënda për fëmijët, rastet që kërkojnë realisht një ndërhyrje të superspecializuar dhe këto ndërhyrje të superspecializuara, do të bëhen me përfshirjen edhe të mjekëve të QSUT që do të jenë aty të pranishëm për të parë, për të mësuar dhe për t’u rritur në aspektin profesional”, tha Rama.
Rama tha se të gjithë duhet t’i dedikohen këtij projekti.
“Miqtë nga Izraeli nuk kanë këtu asnjë interes, nuk janë këtu për të fituar asgjë, as para, as reputacion, as ndonjë favor tjetër nga Shqipëria. Janë këtu për të na mbështetur dhe siç e dëgjuat dhe nga fjala e Joelit, siç e kam dëgjuar unë personalisht dhe nga fjalët e drejtuesit të përgjithshëm, profesorit që iu adresoi mesazhin, për t’i kthyer mbrapsht popullit shqiptar në fushën e tyre, një borxh moral për çfarë populli shqiptar bëri për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kjo mund t’i tingëllojë shumë e bukur për të qenë e vërtetë shumëkujt që nuk e njeh popullin hebre”, tha Rama.
Rama tha se “puna me Onkologjikun do të fillojë konkretisht nga sot dhe do të ketë një person të dedikuar këtu nga spitali Sheba. Është Nama aktualisht, por është çështje e tyre se si do të organizohen për të t’ua lënë vendit njëri-tjetrit, por paralelisht ne po diskutojmë me lidershipin e spitalit për planin e përgjithshëm strategjik të zhvillimit të spitalit dhe kemi rënë dakord që qeveria do t’i përkushtohet planit në mënyrë serioze, sepse në fund të ditës, ai plan ka dhe një faturë”.
Rama theksoi se “do të bëjmë gjithçka që ta përballojmë nga pikëpamja e infrastrukturës”.
“Nuk është thjesht çështje qëllimesh të mira, por ka dhe një faturë dhe ne do të bëjmë gjithçka si qeveri, që atë faturë ne ta përballojmë, sepse realisht tani që kemi kaluar fazën e rrënimit të qendrës, ju e dini shumë mirë, dhe që nga pikëpamja e infrastrukturës po mbyllen kantieret me godinat e fundit që janë në procese ndërtimi apo rindërtimi, na duhet të hyjmë dhe të punojmë shumë më tepër dhe t’i kushtojmë shumë më tepër burimeve njerëzore dhe kjo nuk është thjesht çështje pagash dhe teknologjisë. Do ta bëjmë QSUT në këto pesë vite të ardhshme një qendër ekselence teknologjike”, tha Rama.
/r.e/a.f/
