Agjencia Telegrafike Shqiptare

Opozita, sërish protestë para bashkisë së Tiranës

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Partia Demokratike po zhvillon protestë para bashkisë së Tiranës.

Protestuesit, për zhvillimin e tubimit të tyre kanë bllokuar rrugën para bashkisë, duke penguar qarkullimin e automjeteve.

Sipas organizatorëve, autoritetet janë vënë në dijeni të zhvillimit të kësaj proteste. Ashtu si herët e tjera, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të cilin e akuzojnë për korrupsion.

Ata i bëjnë thirrje SPAK-ut që të vazhdojë hetimet ndaj kreut të bashkisë Tiranë.

Aktivistja Adriana Kalaja tha se protesta është thirrur në zbatim të ligjit për Tubimet dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ftoi policinë të mos pengojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar

“Protesta jonë jo vetëm i dha rezultatet por në çdo rast është thirrur në zbatim të ligjit për tubimet dhe vendimit të Kushtetueses”, tha ajo.

“Ky është njoftimi nga Policia e Tiranës. E ka saktësuar Kushtetuesja, që është mbi ligjin, nuk merret leja, njoftohet vetëm leja dhe ora e protestës”, u shpreh Kalaja.

Ndërsa ekspertja për çështjet ndërkombëtare, Ilda Zhulali tha se, përpara dy vitesh, bashkë me Belind Këlliçin kanë propozuar autobuzin falas si një zgjidhje për tu ardhur në ndihmë të gjithë atyre që e përdorin këtë mjet, për të ulur koston e shpenzimeve në Tiranë.

“Çfarë bëri Veliaj, se ndihej i fuqishëm atëherë? Nuk bëhet tha autobuzi falas, na solli një ekspert që të na thoshte se nuk ka autobuz falas për banorët e Tiranës, mirëpo tani që u shtrëngua litari në fyt, tha se do e bëj autobuzin falas vetëm për pensionistët, edhe pse po i poshtëron në ato radhët atje, ky është Veliaj”, tha Zhulali.

Kryetari i Grupit të Këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës, Tedi Blushi tha se, “banda kriminale që mban Veliajn në krye të bashkisë quhet SPAK”.

“Është një fakt që sot ka vetëm një bandë që mban Erion Veliajn në këtë karrige. Dhe kjo bandë kriminale quhet SPAK”, tha Blushi.

Drejtuesi Politik i PD për Qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, gjatë fjalës së tij, në protestë tha se SPAK po i jep kohë kryebashkiakut Erion Veliajt për të shkuar në SHBA, për të gjetur azil politik.

“SPAK po i jep kohë Veliajt për të shkuar në SHBA, për të gjetur azil politik, por ne nuk do e lëmë, ne do e vijojmë betejën tonë më të fortë se kurrë dhe për vjedhjen që ke bërë, të pashembull në këtë qytet, ti do të ndëshkohesh si as edhe një njeri më para në historinë politike të Shqipërisë”, u shpreh Këlliçi.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version