TIRANË, 23 janar /ATSH/ Pas një hetimi disamujor, në kuadër të operacionit të koduar “Interruption 2”, Policia e Tiranës njofton se janë arrestuar në flagrancë shtetasit: K. U., 35 vjeç, banues në Krujë dhe A. R., 26 vjeç, banues në Mat.
“Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se këta shtetas po transportonin një sasi lënde narkotike, Policia ka ndaluar në Luz, Fushë-Krujë, automjetet me të cilat po qarkullonin këta shtetas”, bëri të ditur Policia.
Sipas Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues shtetasin K. U., në pjesën e pasme, shërbimet e Policisë kanë gjetur gjashtë thasë me lëndë të dyshuar kanabis sativa, me peshë totale 60 kilogramë.
“Automjeti tjetër drejtohej nga shtetasi A. R., i cili kontrollonte rrugën dhe njoftonte shtetasin K. U., nëse kishte prezencë të Policisë”, njofton Policia.
Në vijim të veprimeve, Policia bëri të ditur se u shpall në kërkim shtetasi S. D., 28 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me dy automjetet, dy celularë dhe një shumë parash.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
/r.e/a.f/
