LONDËR, 17 janar /ATSH-DPA/- Britania e Madhe dhe Polonia do të fillojnë sot punën për një marrëveshje të re të mbrojtjes dhe sigurisë- ndërsa kryeministri britanik, Keir Starmer pritet të mbërrijë në vendin e Evropës Lindore për bisedime.
“Është koha për ta çuar partneritetin tonë me Varshavën në një nivel tjetër. Bashkëpunimi më i ngushtë me aleatët si Polonia – do të mbrojë sigurinë kombëtare të Britanisë së Madhe”, tha Starmer.
Kryeministri britanik pritet të diskutojë traktatin e ri BM-Poloni me homologun e tij Donald Tusk, i cili do të mbështesë të dyja vendet që do të punojnë së bashku për të mbrojtur Evropën nga agresioni rus – dhe për të trajtuar bandat e kontrabandës së njerëzve.
“Marrëveshja, gjithashtu do të rrisë përpjekjet për të trajtuar dezinformimin dhe kërcënimet hibride”, tha zyra e Starmer.
“Britania e Madhe dhe Polonia janë aleate prej shumë kohësh dhe bashkëpunimi ynë shtrihet në breza”, tha ai përpara vizitës.
“Mes kërcënimeve gjithnjë në rritje për sigurinë e Evropës, tani është koha për ta çuar partneritetin tonë në një nivel tjetër, kështu që ne mund të sigurohemi se po trajtojmë çështjet e mëdha – nga agresioni i Putinit te bandat e kontrabandës së njerëzve që tregtojnë mjerimin njerëzor”, shtoi Starmer.
“Vetëm përmes një bashkëpunimi më të ngushtë me partnerët tanë më të rëndësishëm si Polonia, ne do të mbrojmë sigurinë kombëtare të Britanisë së Madhe – themeli kryesor mbi të cilin unë do të dorëzoj planin tim për ndryshim”, tha ai.
Bisedimet e mëtejshme priten të fillojnë këtë muaj me synimin për të rënë dakord për traktatin – pasi qeveria britanike ka paraqitur dëshirën për të rivendosur marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Evropën. //a.i/
