TIRANË, 16 janar/ATSH/ Situata në Bunec, bashkia Himarë, pas dëmtimit të një ujësjellësi që shërbente për mbledhjen e ujit në hidrocentralin e fshatit Sasaj, është normalizuar.
Në një prononcim për ATSH-në prefekti i qarkut të Vlorës, Plator Nesturi tha se “nuk është çarë diga, por ka pasur një dëmtim të ujësjellësit, i cili shërbente për mbledhjen e ujit në hidrocentralin e fshatit Sasaj”.
Prefekti Nesturi u shpreh se “janë marrë të gjitha masat, ku në vendngjarje kanë shkuar të gjithë ekipet e emergjencave nga Vlora, Himara, Delvina dhe nga Tirana lidhur me vlerësimin e situatës dhe marrjen e masave”.
Sipas tij, vihet re se nuk ka më prezencë uji dhe HEC-i ka bërë devijimin e ujit.
“Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa është shkaktuar vetëm bllokimi i rrugës nga balta, si dhe janë dëmtuar 12 biznese në fshatin Bunec, që funksionojnë gjatë verës”, tha Nesturi.
Prefekti Nesturi bëri të ditur se aktualisht rruga është e kalueshme për automjetet.
“Me ndërhyrjen e shpejtë të të gjithë strukturave përkatëse, të cilat janë në vendngjarje jo vetëm për vlerësimin, por edhe për zgjidhjen e situatës rruga është hapur”, tha Nesturi.
Policia e Himarës njoftoi se rreth orës 12:38 të ditës së sotme në Bunec, Lukovë, dyshohej se është çarë diga e hidrocentralit. Hidrocentrali i fshatit Sasaj furnizohet me ujë nga burimi i lumit të Kalasë dhe prodhon energji elektrike për zonën bregdetare të Himarës.
/k.s/j.p/
