Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ambasada britanike: Të angazhuar për të punuar me Parlamentin shqiptar

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali dhe delegacioni shoqërues, zhvilluan ditën e djeshme një vizitë në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

Ambasada britanike në Tiranë reagoi sot përmes një njoftimi në rrjetet sociale, duke e konsideruar këtë vizitë si një “shkëmbim parlamentar që përfshiu disa momente kyçe, si pjesëmarrja e delegacionit në Pyetjet për Kryeministrin dhe takimet me Grupin Ndërparlamentar për Shqipërinë dhe Kosovën”. Sipas njoftimit, gjatë kësaj vizite, u zhvilluan bisedime të rëndësishme me kryetarin e Dhomës së Komuneve, Sir Lindsay Hoyle MP.

“Gjatë diskutimeve produktive, të dyja palët ranë dakord për vlerën e partneritetit Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri, përfshirë nivelin parlamentar, si dhe për rëndësinë e ruajtjes së praktikave më të mira demokratike gjatë zgjedhjeve të ardhshme”, thuhet në postim.

“Mbretëria e Bashkuar mbetet e angazhuar për të punuar me Parlamentin shqiptar për të mbështetur rrugëtimin demokratik të vendit dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve të mbështesin zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thuhet në njoftimin e Ambasadës britanike.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version