TIRANË, 15 janar /ATSH/ Policia e Tiranës, në një njoftim për mediet, ka bërë të ditur se ka arrestuar autorin e vrasjes së 81-vjeçarit Xhemal Meta në Shëngjin i Vogël, Qafmollë Tiranë.
Sipas njoftimit, i arrestuari është Isuf Hasa, i cili dyshohet se është personi që ka goditur të moshuarin në pjesën e pasme të kokës me një çekiç.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues Elton Alushi gjatë një deklarate për mediet dha detaje mbi hetimin e zhvilluar.
“Më datë 13.01.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 4, kanë marrë njoftim nga një shtetas se komshiu i tij shtetasi Xhemal Meta është konstatuar i pa jetë në oborrin e banesës së tij. Shërbimet e Policisë dhe Grupi Hetimor kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para hetimore ka lindur dyshimi se ky shtetas mund të ishte vrarë me sende të forta.
Për hetimin dhe zbardhjen e rastit u krijua një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijoi punën intensivisht për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, deklaroi Alushi.
“Grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe Specialistët e Departamentit te Policisë Kriminale nën drejtimin profesional të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshme Tiranë, kanë kryer një sërë veprimet profesionale hetimore nëpërmjet aplikimit të metodave speciale të hetimit. Falë punës hetimore intensive, brenda 48 orësh është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar”, vijon Alushi.
Ai deklaroi se “nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se më datë 13.01.2025, rreth orës 09:00, shtetasi Isuf Hasa, 64 vjeç, ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me një mjet të fortë (çekiç) në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen. Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimën i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është larguar.
Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 lekë të rinj. Po nga kontrollet e ushtruara në banesën e shtetases L.H, (vajza e autorit të dyshuar) në fshatin Gjokaj, Vorë, Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar (çekiç) më të cilin autori ka kryer vrasjen.
Në fazë operacionale janë përfshirë Specialistet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, Komisariatit të Policisë nr. 7, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë ndalimi i shtetasit Isuf Hasa për veprën penale “Vrasja me paramendim””, deklaron Alushi.
Kreu i Policisë së Tiranës bëri të ditur gjithashtu se në vijim të operacionit është goditur dhe një rast i transportimit dhe shitjes së lëndëve narkotike kanabis sativa.
“Në vendin e quajtur mbikalimi i Shkozës është bërë ndalimi i automjetit tip Ford me drejtues shtetasin K.K, dhe gjatë kontrollit të automjetit. Në bagazhin e këtij automjeti Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 10 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa, të cilën ky shtetas po e transportonte me qëllim shitjen e saj. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K.K 24 vjeç, banues në Tiranë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, tha Alushi.
Ai theksoi se përgjatë dy javëve të para të këtij vitit janë zhvilluar shumë operacione të ngjashme për të parandaluar dhe goditur veprimtarinë e kundërligjshme në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, lojërave të fatit dhe për zbardhjen e vjedhjes së pasurisë.
Alushi: Hetime intensive për zbardhjen e vrasjes së Bujar Nasufit
Kreu i Policisë së Tiranës deklaroi sot po ashtu se po kryhen hetime intensive dhe në lidhje me ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur ditët e fundit në Tiranë ku u vra me armë zjarri shtetasi Bujar Nasufi.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për zbardhjen sa më shpejt të kësaj ngjarje kriminale. Nën drejtimin e Prokurorisë po punohet intensivisht, duke përdorur metodat speciale të hetimit dhe shfrytëzuar Inteligjencën policore në funksion të zbardhjes dhe dokumentimit ligjor të kësaj ngjarje. Gjithashtu janë mbledhur dhe administruar prova shkencore dhe kompjuterike që do ti sherbejnë hetimit për zbardhjen e ngjarjes. Hetimet janë në dinamikë dhe komplekse dhe për këtë arsye nuk mund të bëjmë me dije të dhëna më shumë për këtë rast”, tha Alushi.
Ai mbylli deklaratën e tij, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve. “Ju siguroj se Strukturat e Policisë së Qarkut Tiranë, janë maksimalisht të angazhuara për të parandaluar dhe goditur krimin dhe për të krijuar një ambient sa më të sigurtë dhe në këtë kuadër i ftoj qytetarët që të ndihmojnë dhe mbështesin Policinë duke adresuar çdo informacion sado i vlefshëm qoftë në lidhje me ngjarjen e ndodhur, por dhe për të denoncuar çdo paligjshmëri që ata konstatojnë e përballen,pasi vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë polici dhe komunitet mund të garantojmë një ambient sa më të sigurt”, përfundoi Alushi.
