Agjencia Telegrafike Shqiptare

Votimi nga jashtë, Xhina: Interes i madh, mbi 3000 të regjistruar në ditë

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Përfaqësuesja e Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Elena Xhina, në një intervistë televizive tha sot se interesi i shqiptarëve që jetojnë jashtë, për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, është i lartë.

Sipas saj numërohen mbi 3000 emigrantë që regjistrohen në ditë, çka tregon se interesi është i madh.

“Janë 10 mijë kërkesa ose llogari të hapura. Numri më i madh nga Gjermania, Italia dhe Greqia. Ka problematika të vogla teknike. Problematikat janë regjistruar dhe kanë gjetur zgjidhje. Jemi 3 ditë, 10 mijë kërkesa afërsisht 3 mijë kërkesa në ditë. Por kanë qenë dhe ditët e pushimit dhe duhet parë se si do realizohet procesi në vijim. Por interesi duket i madh”, tha ajo.

Xhina nënvizoi se procesi është i thjeshtë dhe sistemi është i konsoliduar.

“Regjistrimi është i thjeshtë. Mjafton një pajisje smart, celular, kompjuter, tabletë për të aksesuar në internet dhe për t’u regjistruar. Shënon emrin, mbiemrin dhe detajet e tjera individuale, vendndodhjen, si dhe një foto live, e cila verifikon që regjistrimi po kryhet nga personi në fjalë”, tha Xhina.

Ajo shtoi se KQZ ka dëgjuar mendimet e shqiptarëve që jetojnë jashtë. “Ne si parti politike, kur është bërë testimi, kemi sigurinë që aparatura ka përqindje të vogël gabimi. Kartat e identitetit duhen parë sa për qind është pamundësia për të votuar. Dhe do shtyhet vlefshmëria e kartave të identitetit. Por platforma po funksionon”, u shpreh xhina.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version