UASHINGTON, 13 janar /ATSH-DPA/- Presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden ka zbuluar kufizimet e reja të eksportit në teknologjinë e inteligjencës artificiale, duke përfshirë çipat dhe modelet e IA-së të përdorura për softuer.
Një grup prej 120 shtetesh partnere do të përjashtohen nga kufizimet, të cilat u njoftuan vetëm një javë përpara se Biden të largohet nga detyra – dhe mund të ndryshojnë ende pas të dhënave të ekspertëve të industrisë.
“SHBA-ja është lideri botëror në zhvillimin e IA-së dhe çipeve të nevojshme për teknologjinë”, tha sekretarja e Departamentit të Tregtisë në SHBA, Gina Raimondo, duke shtuar se kufizimet e planifikuara të eksportit ishin krijuar për ta mbajtur atë – në të njejtin nivel.
“Teknologjitë e inteligjencës artificiale të prodhuara në SHBA mund të përdoren nga vendet rivale për simulime bërthamore, zhvillimin e armëve biologjike dhe për të forcuar ushtritë”, shtoi ajo.
“Me masat e reja, administrata e Biden dëshiron të sigurojë që kundërshtarët e SHBA-së të mos kenë në dorë teknologjitë – duke i lejuar gjithashtu partnerët të përfitojnë”, tha Raimondo.
Qeveria amerikane ka kufizuar tashmë eksportet e çipave të IA-së në Kinë, një hap që ka prekur kompaninë amerikane “Nvidia”, një lidere në prodhimin e çipave të IA-së.
Sistemet e çipave të Nvidia përdoren në mbarë botën për të trajnuar aplikacione duke përdorur inteligjencën artificiale. //a.i/
