TIRANË, 13 janar/ATSH/ Prefekti i qarkut të Tiranës, Afrim Qendro informoi sot mbi situatën e shkaktuar nga moti i keq në qarkun e Tiranës, ku sipas tij, ekipet e Emergjencave kanë ndërhyrë për të normalizuar situatën kudo ku ka pasur probleme.
Në një intervistë televizive, Qendro bëri të ditur se situata nga moti i keq në qarkun e Tiranës aktualisht paraqitet më e qetë.
Sipas tij, probleme ka pasur në Qafën e Murrizit, që është ende e pakalueshme.
“Kemi pasur një rast specifik në hyrje të tunelit së Murrizit me 3 persona të bllokuar. Sot në mëngjes kemi bërë të mundur që tre pasagjerët që ishin në automjet të nxirren me një automjet të kompanisë së mirëmbajtjes. Janë në gjendje të mirë shëndetësore, u është dhënë trajtimi i duhur mjekësor”, theksoi Qendro.
Qendro informoi se sot situata është me e qetë, ndërkohë që dje ka pasur probleme në qarkun e Tiranës, sidomos në Bashkinë e Tiranës.
“Kemi pasur probleme në rrugë te Qafa e Murrizit, tuneli Rrugës së Elbasanit, rrëshqitje dherash në disa zona, evakuim banese në Shkozë, dhe gati 14 raste të rënieve të pemës dhe shtyllave elektrike”, tha Qendro.
Po ashtu, Prefekti informoi se një familje është evakuuar në Shkozë pas përmbytjes së banesës.
“Ndërkohë që po vazhdon puna nga të gjitha ekipet e Emergjencave dhe Bashkisë Tiranë, për ta normalizuar situatën kudo ku kemi pasur probleme, na është dashur që një banesë të evakuohej. Po punojmë për kthimin në gjendje normale të saj. Kemi vetëm në Shëngjergj dhe Baldushk, dy raste të rënies së shtyllave. Njëra është rregulluar dhe tjetra po punohet për ta vënë në funksion. S’kemi pasur raste të shkëputjes së energjisë, në Shëngjergj dhe zonën e Dajtit. Kemi pasur në orët e vona të mbrëmjes reshje dëbore, por ekipet kanë qenë në terren. Trafiku është normalizuar, të gjitha shërbimet bazike të qytetarëve ne këto zona kryhen në mënyrë normale”, tha Qendro.
/m.m/j.p/
