Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha mbledh Kryesinë: Diaspora është për rotacionin

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi sot se, Diaspora është për rotacionin.

Në fjalën e tij në mbledhjen e kryesisë së PD-së, Berisha u shpreh se vota e diasporës është një eveniment i jashtëzakonshëm i një rëndësie shumë të madhe në historinë elektorale.

“Kjo mbledhje është thirrur për emergjencën e krijuar nga problematika e votës së 1.5 milionë shqiptarëve jashtë vendit. Ky është një eveniment i jashtëzakonshëm, i një rëndësie shumë të madhe në historinë elektorale, por historia elektorale është historia e demokracisë, thelbi i demokracisë”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se, “ky proces siç edhe pritej nuk mund të mos ishte pa problematika”.

“1 milion e gjysmë shqiptarë të shpërndarë në të gjithë planetin, imagjinoni se çfarë konsistence e madhe është. Qeveria nuk pranoi të votohej me telefon, siç votojnë shumë vende, por kërkoi të votohej në e-Albania, që është portali më i manipuluar në Evropë dhe botë. Një portal ku fusin duart e zeza, një mori mafiozësh vendi dhe të huaj dhe e bëjnë atë shportë që nuk jep asnjë siguri. Dhe ne e përjashtuam këtë mundësi”, tha Berisha.

“Tani si praktika e parë, natyrisht se ne kishim që në fillim modulin më të mirë të trajtimit të saj. Jo, por një gjë del shumë e qartë. Gjatë këtyre dy muajve, emigracioni dhe diaspora janë masivisht për rotacionin, janë për PD, janë kundër narkoshtetit”, theksoi kreu i PD.

Duke folur për ekonominë, Berisha tha se, nëse merr pushtetin PD do të ulë në 70 lek çmimin e energjisë.

“Modeli ynë, Enti Rregullator i Energjisë do të vendosë, do të rikthejë jo 77, por 70 lek 300 kilovatët e parë. 100 lek, jo 115 fashon e dytë. Kurse bizneset do të zbresin përsëri në 60 lek”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu u shpreh se do të vendoset minimumi jetik 200 euro.

“Sot çdo shqiptar e ka të qartë se, paketa ta quajmë e 100 ditëve të para, është paketa e përmbysjes së madhe të shpërndarjes së të ardhurave të qytetarëve shqiptarë. Të vendosjes së minimumit jetik 200 euro. Janë 57% e pensionistëve që marrin pension jo të plotë. Janë 100 mijë pensionistë në fshat që marrin 12 euro pension. Janë të gjithë invalidët dhe të tjerët që nuk përballojnë as gjysmën e shpenzimeve të tyre shëndetësore me pensionin. Pensioni mesatar 170 euro, që nuk mjafton as për kafshatën”, tha ai.
“Të gjithë këta tre muaj e parë të qeverisjes tonë, do të marrin fiks 200 euro. 200 euro do të marrë çdo shqiptarë që nuk merr asgjë deri sot. se ka me dhjetëra mijëra dhe më shumë, qytetare dhe qytetarë që nuk kanë asnjë lloj pensioni. 200 euro. Pse 200. Është minimumi jetik. Duhet të jetojë, nuk mund ti thuash pse s’ke punuar, pse ke punuar, do ti japësh të jetojë dhe do të jetojë”, u shpreh Berisha.

/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version