Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha: Gjyqtarja Marsida Xhaferllari të deklarojë bashkëjetesën, Alibeaj: Hakmarrje primitive

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi sot që gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari të deklarojë bashkëjetesën, përndryshe po shkel ligjin dhe duhet të largohet.

Ndaj kësaj deklarate reagoi sot deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili u shpreh se, “Sali Berishës nuk i del inati për faktin që në Komisionin parlamentar të Mandateve votova për heqjen e imunitetit ndaj tij”.

“Për inatin nuk e ndihmoj dot, madje as për hakmarrjen primitive që ai përdor rëndom me të gjithë ata që i dalin kundër. Hakmarrje që nuk kursen as familjen e atyre që mendojnë ndryshe nga ai”, u shpreh Alibeaj në reagim.

Kjo, theksoi Alibeaj, “nuk është e re në sjelljen politike të Sali Berishës. Vetëm se hallet e tij dhe të familjes së tij me drejtësinë nuk mund të jenë hallet e çdo shqiptari. E si të tilla, nuk mund të jenë as hallet e mia dhe të familjes time. Kështu që e ftoj të mbledhë veten e të merret me hallet e veta”.

Thënë ndryshe, vijoi Alibeaj, “çdo shpifje nga goja e tij është po aq pa vlerë sa të gjithë ato që ka thënë këto 30 e kusur vjet për çdo kundërshtar politik. Do të votoja në çdo rast sërish për heqjen e imunitetit të tij dhe të gjithë atyre që kanë probleme me drejtësinë. Këtë e kam qendrim parimor të palëkundur, pa patur ndonjë inat me të apo ndokënd tjetër”.

“Hallet që kanë familjarisht me SPAK nuk ua zgjidh dot. Komunizmin vërtet e kemi larguar më shumë se 3 dekada më parë, por mentalitetin komunist e kemi ende prezent në politikë. E për fat të keq, duke mbajtur peng demokratët dhe të djathtën në Shqipëri”, theksoi Alibeaj.

Berisha u shpreh në një konferencë për shtyp se, “gjyqtarja Marsida Xhaferllari duhet ta deklarojë bashkëjetesën, përndryshe po shkel ligjin dhe duhet të largohet”.

“Qëndrimet e mia ndaj kësaj gjykatëseje janë shprehur dhe po i përqendroj në këtë sentencë. Për PD-në, nuk përbën, nuk ka asnjë problem pse gjykatësja bashkëjeton me atë që do të bashkëjetojë. Por Shqipëria ka një ligj prej shumë vitesh dhe ky ligj njeh bashkëjetesën. Ky ligj jo vetëm legjitimon, por njeh bashkëjetesën dhe për rrjedhojë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga bashkëjetesa”, tha Berisha.

“Tani, në qoftë se kjo zonjë bashkëjeton me një njeri, mos harro se ajo ka statusin e gjykatëses kushtetuese, dhe këtë e fsheh, ajo është në shkelje të rëndë të ligjit, por edhe më shumë se të ligjit. Ajo është e detyruar ta deklarojë, në konceptin tim, dhe pas deklarimit të kësaj, këtu nuk ka asnjë lloj problemi tjetër. Sepse duhet të respektojë ligjin”, u shpreh Berisha.

“Ju kujtohet ju para disa viteve, kjo çështje ka dalë në parlament dhe është bërë ligji. Dhe ky ligj detyron bashkëjetuesen njëlloj si bashkëshorten të deklarohen për të gjithë aktivitetin e tyre, për të ardhurat, etj. Mendoj se nuk mund të ketë qëndrim tjetër përveç zbatimit të ligjit për një gjykatëse”, shtoi Berisha.

“Që në momentin që ajo devijon ligjin, ajo duhet të largohet nga detyra që ka. Nuk ka diskutim. Nuk është vullnetare. Pra, ajo ka të drejtë të dojë atë që do, por duhet gjithashtu të respektojë ligjin”, tha më tej kreu i PD. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version