TIRANË 12 janar/ATSH/ Në Bashkinë Korçës po vazhdon puna për pastrimin e rrugëve dhe trotuareve nga dëbora.
Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiral Filo ndau sot në rrjete sociale momente nga puna që po kryejnë borëpastrueset në akset rrugore, teksa njoftoi se, “situata e krijuar nga moti i keq në të gjithë Bashkinë Korçë është në monitorim të vazhdueshëm”.
Filo tha se, të gjitha strukturat e Emergjencave Civile, borëpastrueset dhe fadromat janë në terren për menaxhimin e situatës së krijuar.
Sipas tij, puna ndërkohë vijon në të gjitha Njësitë Administrative si edhe në qytet dhe aktualisht nuk paraqitet asnjë problematikë.
/a.f/
