TIRANË, 12 janar/ATSH/Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga dega e PD-së Lezhë me rastin e 34 vjetorit të themelimit, ku ka mbajtur edhe fjalën e tij.
Berisha gjatë fjalës së tij tha se 34 vite më parë, në Lezhë u themelua partia e idealeve më fisnike të shqiptarëve. Ai shtoi se gjatë këtyre 34 viteve ka patur dhe gabime nga ana e PD, por forca politike e drejtuar prej tij ka reflektuar.
“Ne i shohim drejt në sy gjërat. Ne i njohim gabimet. Vërtetë skemat piramidale u zhvilluan nën qeverisjen tonë, por ne e dorëzuam pushtetin. E dorëzuam pushtetin nën parimin moral se, ne duhet tu faktojmë shqiptarëve se nuk kemi prekur një qindarkë të tyre.
Pra, u ndala në një gabim. Por gabime të tjera janë bërë. Por gjithmonë janë njohur dhe janë bërë përpjeke të mëdha për korrigjimin e tyre”, tha Berisha.
Më tej, Kreu i PD duke folur për zgjedhjet parlamentare të 11 majit u shpreh se “pak muaj na ndajnë nga dita e zgjedhjeve. Ju garantoj se sot, fitorja është tërësisht në duart tuaja, në mundin dhe djersën tuaj. Por kjo fitore kërkon para së gjithash, se siç u bashkuat me njëri-tjetrin, të bashkohemi tani në një front të gjerë me shqiptarët.
Të bashkohemi me të gjithë shqiptarët që besojnë se zbrazja e Shqipërisë në këto 10 vite, është drama më e madhe në historinë e kombit shqiptar. Largimi i shqiptarëve vetëm në BE nga 2014-2023 e 1 milion e 99 mijë shqiptarëve, është padiskutim goditja më e rëndë kombëtare që kanë marrë shqiptarët se në çdo pushtim e luftë dhe kjo erdhi nga diktatura e drogës e Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
“Sot gjithashtu varfëria nuk është një varfëri me dyqane bosh si në ’92, por varfëria është një varfëri me mollën e ndaluar të dyqaneve plote dhe është lemeritëse, dyqanet janë plot, por njerëzit nuk blejnë dot. Këtë vit buxheti ishte 8 miliardë e 200 milionë euro. Para të tëra të grumbulluara nga taksat që ju paguani në çdo gotë ujë që pini, në çdo litër qumësht që bleni”, tha Berisha.
“Këto para në çdo vend të lirë u rishpërndahen qytetarëve, me rroga pensione, shkolla, spitale, rrugë, vepra të tjera. A mund të imagjinoni ju, se 780 mijë pensionistëve Edi Rama ju la për vitin 2025, 1 të 512 e këtij buxheti. U la 16 milionë euro. U la fondin mujor që gjermani le për qentë e shtëpisë. Njerëz që kanë shkrirë jetën, që kanë sjellë Shqipërinë gjer këtu, dhe tani i trajton në këtë mënyrë.
Dhe unë i them këtu para jush. Sa rri e flet me veten në makinë, fol sa të duash, por hajde të dalim shesh të burrave dhe ti themi njëri-tjetrit gjërat. Hajde urdhëro në televizion, se rregulli këtë ka.
Hajde të ulemi me ta dhe shpjegoju pensionistëve se pse pensioni në Mal të Zi që në vitin 2013 ishte më i ulët se në Shqipëri, sot është 450 euro. Si shkoi. Çfarë ka Mali i Zi, as të 1/20 nuk e ka. Prandaj ju do të uleni me çdo pensionist dhe duhet ti tregoni kontratën tonë me çdo njërin prej tyre.
