TIRANË, 11 janar/ATSH/ Kukësi është përfshirë nga moti i keq me reshje bore, duke vështirësuar lëvizjen, ndërsa disa fshatra të bashkisë së Tropojës kishin probleme edhe me furnizimin me energji elektrike.
Prefekti i qarkut të Kukësit, Agron Geca bëri të ditur sot se nga kompanitë kontraktore po punohet për mbajtjen hapur të akseve rrugore, ndërsa nuk është raportuar për problematika emergjente.
“I gjithë territori i Qarkut Kukës është përfshirë nga reshje bore me intensitet të ulët deri në mesatar në zonat e thella malore. Akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme. Nga subjektet kontraktore po punohet për pastrimin e rrugëve nga bora dhe kriposjen e tyre.
Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente. I gjithë qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike përveç fshatrave Myhejan dhe Kërrnajë.”
Ndërkohë ai informoi se e gjithë prefektura po furnizohet me ujë të pijshëm normalisht.
/r.e/
