Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rindërtimi, Sako: 198 familje në Spitallë të Durrësit me shtëpi të reja

TIRANË, 10 janar/ATSH/ 198 familje në Durrës të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 janë bërë me shtëpi të re.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirana Sako njoftoi sot se u hodh shorteu i radhës për ndarjen e apartamenteve.

“Këto familje i përfituan apartamentet e tyre në shorteun e radhës që u zhvillua për lagjen e re në Spitallë. Shorteu publik, i hapur dhe transparent u zhvillua në prani të mediave, komisionit të posaçëm dhe familjeve përfituese të shtëpive në këtë lagje me 85 pallate dhe 996 apartamente me standarde moderne”, theksoi Sako.

Sipas saj, lagjja e re është model nga pikëpamja urbane me vende parkimi, hapësira të gjelbra dhe qendra shërbimi.

Një ditë më parë u hodh shorti publik për të shpërndarë apartamentet, të cilat i përkasin lagjeve të reja në Manzë dhe Spitallë, si dhe banesave kolektive në njësinë administrative nr. 5.

Lagjja e re urbane në Spitallë është e pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, që nga vendet e parkimit, hapësirat e gjelbra dhe qendra të ndryshme shërbimi. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version