Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama ndan pamjet nga vizita në Shkodër

 

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Shkodrës.

Fillimisht, kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizituan Poliklinikën e Specialiteteve, e cila hapi dyert me ambiente të transformuara, kushte moderne dhe aparatura të reja diagnostikuese.

Poliklinika e Specialiteteve është një tjetër investim madhor nga buxheti i shtetit për shëndetësinë, me ambiente të transformuara, kushte moderne dhe e pajisur me aparatura të reja diagnostikuese për rreth 200,000 banorë.

Me një sipërfaqe prej 1300 m² dhe vlerë totale prej 120 milionë lekë të reja, janë zgjeruar  shërbimet shëndetësore nga 14 në 22 specialitete

Specialitete të reja si kirurgjia, ortopedia, infektivi, toksikologjia, obstetrik-gjinekologjia dhe pediatria, fizioterapia, si dhe kabinetet moderne për imazheri, radioogragi, ekografi, mamografia dhe ORL, janë risi e këtij investimi që garanton kujdes shëndetësor të standardeve të larta për Shkodrën dhe zonat përreth.

Kryeministri Rama më pas zhvilloi një inspektim në kantierin e punimeve të lagjes 300 vjeçare të Zdrales, një nga zonat historike të Shkodrës që do të kthehet në hapësirë pedonale, si një destinacion i ri tregtar, social e turistik.

Kjo fazë do të mbyllet në qershor të këtij viti dhe do t’i japë Shkodrës një vlerë të shtuar për ofertën e saj turistike.

Kryeministri Rama zhvilloi edhe një inspektim te Tregu i Rusit, ku sot falë transformimit është shndërruar në një hapësirë të bukur dhe dinjitoze.

Kryeministri Rama  ishte dhe në Postribë ku inspektoi terrenet e reja sportive të shkollës “Adem Haxhija” dhe skuadrat e reja të ekipeve sportive në shkolla.

Në shkollën “Adem Haxhija” sapo u krijuan skuadrat e reja të ekipeve sportive në shkolla, falë transformimit të shumëpritur të infrastrukturës, ndërkohë që në Shkodër investohet aktualisht në 5 shkolla e terrene sportive të reja. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version