TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi pasi SPAK njoftoi se ka përfunduar hetimet për dosjen “Xibraka” të rihapur pas informacionneve të dërguara nga ai dhe nuk gjeti asnjë provë që Olsi Rama mund të ishte i përfshirë.
“Sapo u njoha me njoftimin që SPAK ka shpërndarë për media, sa i takon çështjes “Xibraka”. Të jem i sinqertë nuk i besova syve me ato që lexova, hetimet kanë përfunduar, por nuk kanë përfunduar! Ky ishte thelbi i atij njoftimi, në fakt qesharak të Prokurorisë të cilin e kam paralajmëruar që ditën e parë me fakte dhe të dhëna konkrete, dyshimin e arsyeshëm për përfshirjen e mundshme të vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, në çështjen e laboratorit të Xibrakës”, u shpreh Bardhi.
“Prokuroria njoftonte se kishte përfunduar hetimet për dosjen 88 të vitit 2024 në fjalinë e parë, por në fjalinë e pestë të një njoftimi me pesë fjali thoshte se kanë pezulluar hetimet dhe kanë ridërguar apo dërguar që Policia e Shtetit të bëjë përpjekje për të identifikuar atë që është fshehur para 10 vitesh”, tha Bardhi.
“E vërteta në fakt është krejt ndryshe. Prokuroria as s’ka hetuar dhe as s’ka kryer asnjë veprim hetimor për të zbuluar të vërtetën. Prokuroria që vë dorën në zjarr që Olsi Rama nuk është i përfshirë në atë aktivitet kriminal, deklaron vetë se e ka të pamundur për të identifikuar se kush janë personat e përfshirë, por deri tashëm të paidentifikuar. Njoftimi se njëri nuk është, por ne nuk e dimë se kush janë, në fakt është fiks logjika që përdori para 10 vitesh Policia e Shtetit duke na thënë të gjithëve se kishte zbuluar moshën e personit, 45 vjeç, por nuk i gjente dot emrin”, u shpreh Bardhi.
Sipas Bardhit, prokurorët janë intimiduar nga pushteti i Edi Ramës.
“I kuptoj prokurorët e SPAK sepse ndjehen të kërcënuar, të intimiduar, të pafuqishëm përballë pushtetit të Edi Ramës. Por ata nuk kanë asnjë arsye për t’u bërë qesharakë dhe për të na e kthyer të gjithëve në memorie se në fakt të bërit qesharakë e kanë metodë të punës së tyre”, tha Bardhi.
“Shqiptarët e mbajnë mend që i njëjti prokuror, Alfred Shehu, para 4 vitesh doli me zë dhe figurë dhe u tha shqiptarëve se në ngjarjen për zgjedhje në Elbasan, në makinën e autorëve të asaj veprimtarie kriminale nuk u gjetën materiale zgjedhore. Nxitimi i tij për të amnistuar bandën në pushtet hasi në kundërshtimin e vetvetes vetëm 3 ditë më vonë, kur në gjykatë me shkrim dhe me zë deklaroi që “Po në makinën e personave të përfshirë në ngjarje kriminale u gjetën materiale zgjedhore””, theksoi Bardhi.
E në këto kushte, shtoi kreu i grupit parlamentar të PD, “s’kam asnjë mesazh tjetër veçse ndjej keqardhje për shkak të presionit, ndërhyrjes, intimidimit, prokurorët jo vetëm nuk tregohen profesionalë, por detyrohen të kthehen në qesharakë”.
“Personalisht e kam pasur të qartë pamundësinë e tyre për ta bërë të ndëshkueshëm dikë që ka statusin i pandëshkueshëm, për shkak të pushtetit të të vëllait. Mirëpo Prokuroria kishte shansin të na provonte se është e pavarur, e paanshme, profesionale dhe se kryen hetim të plotë e të gjithanshëm”, tha Bardhi.
“Unë sot do të ndalem vetëm në një fakt, në seancën plenare të datës 4 Prill 2024, ministri i Brendshëm i kohës, Taulant Balla zyrtarisht informonte Kuvendin se ai kishte dijeni se kush ishte identiteti i personit 45 vjeç. Me zë dhe me figurë. Pyetja ime për prokurorin Shehu sot është, a e ka thirrur Taulant Ballën për ta pyetur për informacionin që ai si ministër i Brendshëm i përcolli Kuvendit se e njihte personin e moshës 45-vjeç dhe se nuk kishte asnjë lidhje me PS-në apo Edi Ramën, por kishte lidhje me PD-në? Mjafton vetëm ky fakt për të treguar që nuk ka patur asnjë hetim, nuk ka patur asnjë veprim hetimor konkret për të zbardhur të vërtetën. Ka patur vetëm një tentativë për të bërë shqiptarët për budallenj sikur po hetohet dhe për të dalë sot me atë njoftim qesharak”.
Bardhi deklaroi se kësaj çështjeje do i shkojë deri në fund.
“Kam vetëm një lutje, na kurseni të bërit qesharak! Prokuroria Speciale nuk ka nevojë të degradojë në qëndrime apo njoftime të tilla që në 5 rreshta, fjalia e parë të kundërshtojë fjalinë e pestë”, tha Bardhi.
“Nuk dekurajohemi, kësaj çështjeje do i shkojmë deri në fund! E vërteta do triumfojë, edhe pse do marrë pak kohë”, tha ai.
/j.p/
