Agjencia Telegrafike Shqiptare

Java e 20-të e Superligës, fitore për Egnatian dhe Vllazninë, mposhten Dinamo dhe Tirana

TIRANË, 10 janar /ATSH/ U luajtën sot ndeshjet e javës së 20-të të Superligës.

Dinamo kryesuese u mposht në transfertën e Ballshit nga Bylis me rezultatin 2-1.

Në stadiumin “Adush Muça” ishin ballshiotët të cilët kaluan të parët në avantazh me Markun në minutën e 20-të, ndërsa Zabërgja barazoi për miqtë në minutën e 50-të.

Në fund të sfidës, ishte Berko që me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone, e ndali në rrjetë, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij.

Me këtë rezultat, Dinamo mbetet në krye me 34 pikë, ndërsa Bylis ngjitet në vendin e shtatë me 21 pikë.

Në ndeshjen tjetër Egnatia fitoi vetëm në fund ndaj Laçit.

Rrogozhinasit triumfuan minimalisht, falë një goli të shënuar nga Bakayoko në minutën e 90-të.

Pas kësaj ndeshjeje, Egnatia ngjitet në vendin e tretë me 33 pikë, ndërsa Laçi mban vendin e shtatë me 20 pikë.

Në Shkodër, Vllaznia triumfoi në klasiken e futbollit shqiptar, pasi mposhti Tiranën me përmbysje me rezultatin 2-1.

Në “Loro Boriçi”, ishte një sfidë me dy tablo, ku pjesa e parë foli për kryeqytetasit ndërsa e dyta për vendasit.

Haxhiu zhbllokoi rezultatin në minutën e 14-të, me një supergol, duke i dhënë avantazhin Tiranën.

Megjithatë në pjesën e dytë, Bekim Balaj barazoi shifrat në minutën e 51-të, ndërsa në të 85-ën kompletoi dygolëshin personal dhe përmbysjen për kuqeblutë.

Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në vendin e dytë me 34 pikë, po aq sa edhe Dinamo kryesuese. Tirana në krahun tjetër mban vendin e parafundit me vetëm 18 pikë. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version