Agjencia Telegrafike Shqiptare

BSH: Kreditë me probleme në nivelin më të ulët në 16 vitet e fundit

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Banka e Shqipërisë bën të ditur se raporti i kredive me probleme vijon të shënojë rënie të qëndrueshme prej disa muajsh me radhë.

Sipas BSH-së, në muajin nëntor 2024 niveli i kredive me probleme zbriti në 4,48%, nga 4,6% që ishte në muajin tetor të vitit të kaluar.

Krahasuar me një vit më parë (nëntor 2023- nëntor 2024) ky tregues shënoi rënie me 0,59%.

Ndikim në rënien e kredisë me probleme kanë dhënë rritja e fuqisë paguese nga kreditorët në sajë të zgjerimit të të ardhurave, nga rritja e pagave, aktiviteti ekonomik si dhe fshirja e kredive të humbura.

Banka Qendrore vëren se kreditë me probleme janë në nivel të qëndrueshëm dhe ato  regjistrojnë aktualisht treguesin më të ulët në 16 vitet e fundit.

Sipas BSH-së, në fund të 11-mujorit 2024 portofoli total i kredisë për ekonominë, arriti vlerën e 332 miliardë lekëve, ku kryeson sektori i pasurive të paluajtshme, ndërtimi e turizmi.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version