Agjencia Telegrafike Shqiptare

Zyrtari i lartë amerikan, takim me Ramën: Mbështetje e jashtëzakonshme e Shqipërisë për refugjatët afganë dhe Ukrainën

TIRANE, 8 janar/ATSH/ Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet Richard R. Verma dhe e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takuan sot në Tiranë me Kryeministrin Edi Rama.

Sipas një postimi të ambasadës së SHBA në Tiranë, ata diskutuan mbështetjen e jashtëzakonshme të Shqipërisë për refugjatët afganë dhe Ukrainën dhe se sa jetik është integrimi në BE për të ardhmen e Shqipërisë.

“Zëvendëssekretari Verma përgëzoi Shqipërinë për përzgjedhjen për një marrëveshje kompakte me MCC, një mundësi për të bashkëpunuar në një program për rritjen ekonomike teksa Shqipëria ecën drejt integrimit të plotë europian”, thuhet në postim.

Zyrtari i lartë amerikan zhvilloi gjatë qëndrimit në Tiranë edhe takime me stafin e ambasadës ndërsa shprehu mirënjohje për mikpritjen në Shqipëri.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version