TIRANË, 8 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se ulja e çmimit të energjisë elektrike, mund të konsiderohet edhe një pension plus për të moshuarit.
Në një deklaratë për mediat, pas vendimit të Bordit drejtues të Entit Rregullator të Energjisë për uljen e çmimit të energjisë, u shpreh se nuk ka asnjë taktikë elektorale në vendimmarrje, por në fokus është interesi i qytetarit.
“Nuk kam asnjë detyrim t’i mbush mendjen askujt që e ka të mbushur mbrapsht. Edhe as nuk më intereson, me thënë të drejtën, se çfarë thotë njëri, çfarë thotë tjetri.
Ajo që mua më intereson është e vërtetë dhe e vërteta është se asnjëherë, për asnjë rast, për asnjë arsye, qysh kur kam bërë garën e parë elektorale, nuk kam menduar sesi të përdor elektoralisht instrumentet financiare të funksionit, të cilët mund të ktheheshin në problem për financat në afat të mesëm apo të gjatë.
Asnjëherë gjëra që bëhen aty për aty dhe nuk janë aty për të qëndruar. Bonuset janë aty për të qëndruar. Bonusi i fundvitit dhe i pranverës do të qëndrojnë aty si rezultat i projeksioneve dhe i rezultateve të ekonomisë. Ulja e çmimit të energjisë është aty për të qëndruar”, tha Rama.
Rama shtoi po ashtu se “pensionistët nuk do të presin që të mbarojnë zgjedhjet që të marrin një pension minimal plus nga ulja e energjisë. 10 herë më e madhe është mbrojtja dhe përkujdesja që i jep qeveria dhe sektori publik qytetarit. Një pension minimal plus nga ulja e këtij çmimi që për pensionistët është një gjë shumë e madhe. Duke mos harruar që qeveria paguan çdo vit drejtpërdrejt në faturën e tyre të energjisë. Këtu flasim për të gjithë shtresën e mesme, ajo përmbi 700 kilovat është një pjesë e vogël shumë e kamur që do të vazhdojë të paguajë çmimin 9,5 lekë”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi më tej se të kishin qenë elektoralë, në kuptimin që ata (opozita) akuzon, nuk do të kishin bërë reformën në energji, por do t’i kishin lënë njerëzit të vidhnin, siç bënte opozita.
“S’kam asnjë shqetësim, sot është një ditë i mbushur me krenari dhe shumë energji nga ky rezultat. Para disa muajve e kam thënë së prisja që Ministria e Energjisë të bënte projeksionet për një ulje të mundshme të çmimit. Po të ishte puna për elektoral, elektoral në kuptimin e kësaj fjale që kanë ata që e përdorin për akuza, do t’i kishim lënë elektoral duke mos bërë reformën në energji, duke i lënë njerëzit të vjedhin se janë tanët, të mos të paguajnë se janë tanët, të mbyllim sytë ne edhe të lidhin telat rrugëve se janë tanët, siç bënin ata që akuzojnë”, tha Rama.
Rama tha sot se çmimi i energjisë elektrike është ulur për herë të parë në 35 vjetët e fundit, për kategorinë e konsumatorëve familjarë deri 700 kwh, ose mbi 1 milion abonentë (95% e konsumatorëve).
“Ajo që më intereson është se mbi 1 milion konsumatorë abonentë të energjisë elektrike do të paguajnë një çmim të ulur të saj falë një suksesi kuptimplotë të një rruge nga humnera drejt majës së Shqipërisë 2030. Thanë edhe që bonusi është elektoral, unë vetë si qenie jam elektoral edhe kur dal nga shtëpia për çdo gjë që bëj, atë do thonë. Ajo që më intereson mua është se pensionistët do të marrin një bonus tjetër, pasi ekonomia po rritet dhe duam që rritjen ta kemi gjithëpërfshirëse, kjo ka rëndësi”, tha Rama.
/r.e//a.f/
