Agjencia Telegrafike Shqiptare

REPUBLIKA ÇEKE – Fiala: Te hapur ndaj thirrjes së Trump për objektiva më të larta të mbrojtjes së NATO-s

PRAGË, 8 janar /ATSH-DPA/- Republika Çeke tha sot se është e hapur për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen, siç kërkohet nga presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.

“Ne jemi të hapur për këtë debat”, tha kryeministri Petr Fiala, duke theksuar se paratë e investuara në mbrojtje ishin para të shpenzuara mirë.

Deklarata e tij vjen pasi Trump u bëri thirrje dje aleatëve të NATO-s të shpenzojnë 5% të prodhimit të tyre të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtjen.

Megjithatë, Fiala tha se objektivi prej 3%, i cili mund të arrihet në faza, do të ishte më realist.

“Le të gjejmë objektivin e duhur”, tha ai, duke shtuar se pragu e mëparshëm prej 2% e kishte parë gjithmonë si një kontribut minimal.

Trump, i cili kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, ka qenë prej kohësh një kritik i NATO-s, duke pretenduar se shumë anëtarë evropianë nuk paguajnë mjaftueshëm dhe se përkundrazi mbështeten te taksapaguesit amerikanë.

Sipas vlerësimeve të NATO-s vitin e kaluar, 23 anëtarë pritej të përmbushnin ose tejkalonin objektivin prej 2% të PBB-së në vitin 2024.

Republika Çeke, një anëtare e aleancës ushtarake perëndimore që nga viti 1999, shpenzoi 6,9 miliardë dollarë për mbrojtjen në vitin 2024.

Sipas përllogaritjeve paraprake të qeverisë në Pragë, kjo korrespondon me 2,09% të PBB-së së vendit, duke shënuar herën e parë që vendi arrin objektivin prej 2% në pothuajse 20 vjet. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version