Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mali i Thatë, destinacion i përkryer për adhuruesit e natyrës

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Mali i Thatë gjithnjë e më shumë pret të apasionuarit e ngjitjeve malore, të cilët megjithë lodhjen dhe vështirësitë që sjell dëbora, e kanë frekuentuar këtë mal edhe këtë fillimviti.

Niko Peleshi, drejtuesi politik i PS për qarkun e Korçës, ndau në rrjetet sociale një material filmik mbresëlënës, të një grupi të rinjsh që kanë ngjitur malin e Thatë pranë Pogradecit, tërësisht i mbuluar nga reshjet e dëborës.

“Mali i Thatë këtë janar, destinacioni i përkryer për të gjithë ata që duan natyrën, qetësinë dhe peizazhet dimërore”, shkroi Peleshi në rrjetet sociale.

Vitet e fundit është vënë re një shtim i entuziastëve të alpinizmit, të cilët duke ndarë imazhet në rrjet, sjellin pamje mahnitëse nga bukuritë e natyrës shqiptare.

Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit. Maja e tij nuk është e mprehtë, përkundrazi, ajo është e rrafshtë, e sheshtë dhe me gropa karstike. Maja më e lartë e tij është Pllaja e Pusit, e cila është 2287 m mbi nivelin e detit. Ky mal ka një shtrirje rreth 25 km nga veriu në jug dhe është i gjerë rreth 8 km në pjesën qendrore të tij.

/r.e//a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version