Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gavril Dara i Riu, eksponent i rëndësishëm i kulturës arbëreshe

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi sot, në 199-vjetorin e lindjes, një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës dhe penës arbëreshe, poetin Gavril Dara (i Riu).

Lindi në Palac Adriani të Sicilisë, më 8 janar 1826, në një familje të shquar abëreshe. Mësimet e para i mori në Seminarin arbëresh të Palermos. Vite më vonë mbrojti doktoraturën në drejtësi.

Më 1858 botoi fletoren letrare “Përtëritja e jetës” (Palingenesi) dhe vite më vonë (1871-1874) drejtoi gazetën “La Riforma”, e cila botohej në Romë. Më 1864 shkroi një poemë prej 1300 vargjesh, e cila titullohej “Ana Maria“.

Pasioni i tij ishte poezia dhe folklori. Gavril Dara i Riu ka lënë në dorëshkrim një ndër kryeveprat e letërsisë sonë “Kënga e sprapsme e Balës”, e cila u botua në vitin 1906. Gavril Dara i Riu është marrë me gjuhësi, filozofi dhe arkeologji.

U nda nga jeta më 15 nëntor të vitit 1885.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version