TIRANË, 8 janar /ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) gjatë vitit 2024 ka mbuluar 80% të nevojave të vendit për energji elektrike.
Në një konferencë për shtyp, pas vendimit të bordit të Entit Rregullator të Energjisë për uljen e çmimit të energjisë, zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se, “KESH ka prodhuar në muajin nëntor 315 mijë MWh, ndërkohë që për muajin dhjetor 2024, prodhimi u rrit në 407 mijë MWh, që korrespondojnë në 80% të mbulimit të nevojave të vendit me energji elektrike”.
Sipas saj, në performancë pozitive paraqitet prodhimi i energjisë edhe nga HEC-et e vegjël.
“HEC-et e vogla kanë prodhuar gjatë muajit nëntor 127 mijë MWh dhe në muajin dhjetor kanë prodhuar 288 mijë MWh duke e bërë kështu këtë fillimdimri një periudhë të mirë të prodhimit të energjisë elektrike për vendin tonë”.
Balluku vuri në dukje se edhe rritja e të ardhurave dhe forcimi i financave të KESH ka ardhur edhe në sajë të optimizmit të shitjes dhe blerjes së energjisë elektrike e cila është shitur me çmim më të lartë në orare pik dhe është blerë gjatë orareve të natës, me çmim më të ulët.
/a.f/r.e/
