Agjencia Telegrafike Shqiptare

Preçi: Qarku Shkodër i pastër pas kontrolleve për murtajën e derrave

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka në fokus forcimin e kontrollit dhe garantimin e sigurisë ushqimore në tregjet e vendit për sektorin blegtoral.

Shërbimi veterinar ka vijuar kontrollet në të gjithë zinxhirin blegtoral edhe këtë fillimvit. Sipas specialistëve, monitorimi ka në fokus edhe murtajën e derrave.

Deri tani qarku i Shkodrës mbetet i pastër, ndonëse vend kufitar me Lezhën, ku javë më parë ngordhën disa bagëti të prekura nga kjo sëmundje.

Shefi i Shërbimit Veterinar, Mark Preçi, tha për mediet se, “në qarkun Shkodër, sot për sot nuk kemi asnjë rast të kafshëve të dyshimta apo pozitive për sa i përket murtajës afrikane të derrave”.

Sipas tij, për shkak të situatës, vëmendja do të jetë e shtuar në çdo bashki të qarkut.

“Ne kemi rritur sistemin e alertit dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me fermerët. Veterinerët e shërbimit janë në terren pa ndalim, dhe nuk raportohet asnjë rast i dyshuar”, theksoi Preçi.

Në Shkodër operojnë dy stabilimente të rritjes dhe përpunimit të mishit të derrit dhe aty kontrollet do të jenë periodike.

/r.e//a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version