Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vaksinimi falas kundër gripit, Koçiu: Janë kryer 206 627 doza në grupet më të rrezikuara

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se vaksinimi falas kundër gripit të stinës po vijon në të gjithë vendin për grupet e rrezikuara, si fëmijët, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë dhe të moshuarit.

“Vaksina është mënyra më e mirë dhe e sigurt për të parandaluar format e rënda të gripit dhe për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe të komunitetit. Deri më tani, janë kryer 206,627 doza për grupet më të rrezikuara. Mos prisni, forcojeni imunitetin tuaj duke u vaksinuar sot”, thotë Koçiu në një postim në Facebook.

“Vaksina e gripit është e rëndësishme të aplikohet në popullatë, për të krijuar një mbrojtje ndaj virozave të stinës dhe për të shmangur komplikacionet që mund të sjellin këto viroza të gripit në popullatën me risk më të lartë”, thotë mjekja Xhentiliana Nazaj, në qendrën shëndetësore Nr. 10 në kryeqytet.

Personat që duhet të bëjnë vaksinën e gripit, janë personat e moshuar mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, ata me prekje të sistemit kardiovaskular, të sistemit pulmonar dhe të sistemit renal. E këshillueshme është që vaksina të merret dhe nga gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës mbi gjashtë muajsh”, thotë Fabiola Gjana, mjeke familje në të njëjtën poliklinikë.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version