Agjencia Telegrafike Shqiptare

Karnavalet në Polenë, vlerë e çmuar në kulturën e Korçës

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Në Polenë të Korçës u zhvillua sot Festa e Karnavaleve.

Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiral Filo ndau në rrjete sociale momente nga kjo festë, ku shihen banorë të zonës të veshur me kostume të përgatitura nga lëkurët e kafshëve dhe që interpretojnë sipas një fabule të caktuar.

Festa e Karnavaleve organizohet çdo datë 6 janar në Polenë, një nga fshatrat më të bukur e me më traditë të Korçës.

“Kjo traditë e veçantë, e ngjashme me disa vende të Ballkanit, lidhet me rite të lashta. Karnavali i lashtë i Polenës është një vlerë e çmuar kulturore e Korçës”, shkroi Filo.

Ndërkohë Karnavalet kanë filluar të festohen në Korçë para viteve 1940, periudhë në të cilën jeta kulturore në këtë qytet ka qenë e larmishme. Karnavalet e Korçës morën një hov të madh pas krijimit të shoqërive kulturore si “Rinia Korçare” etj. Në këtë periudhë karnavalet shoqëroheshin me mandolina, kitara dhe këngë humoristike. Kjo festë u ndërpre rreth viteve ’60 për të rinisur pas viteve ’90.

Korça është një ndër qytetet e para që rizgjoi traditën e karnavaleve duke krijuar në vitin 1992 Shoqatën e Karnavalit si pjesë e Shoqatës Kombëtare të Karnavalit Shqiptar. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version