OTAVA, 6 janar /ATSH-AFP/ – Nën presionin brenda Partisë së tij Liberale, kryeministri kanadez Justin Trudeau mund të japë dorëheqjen që sot, sipas raporteve të medias, pasi ai përballet me krizën më të rëndë politike që nga ardhja në pushtet, nëntë vjet më parë.
Sipas “The Globe and Mail” dhe “The Toronto Star”, burime brenda Partisë Liberale presin që Trudeau të japë dorëheqjen, përpara një takimi kombëtar të partisë së tij të planifikuar për të mërkurën.
“Njoftimi mund të bëhet në 24 orët e ardhshme”, thanë këto burime për dy gazetat në shkrimet e publikuara të dielën.
Një njoftim i tillë do të vinte disa muaj para zgjedhjeve të ardhshme legjislative të cilat duhet të mbahen deri në fund të tetorit.
Por, është e paqartë nëse Trudeau, 53 vjeç, do të mbetet lideri i përkohshëm i partisë së tij ose nëse ai do të largohet menjëherë nga posti nëse jep dorëheqjen si kryeministër.
Deri më tani Justin Trudeau, i cili kishte shpallur synimin e tij për të kandiduar sërish, vlerësohet në sondazhe me më shumë se 20 pikë prapa rivalit të tij konservator, Pierre Poilievre./ /os/
