Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – SHBA: Moska do të ndajë teknologji satelitore me Phenianin

UASHINGTON, 6 janar /ATSH-DPA/ – Rusia synon të ndajë teknologjinë e avancuar hapësinore dhe satelitore me aleatin e saj Korenë e Veriut, paralajmëroi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Duke folur në një konferencë shtypi me homologun e tij koreano-jugor Cho Tae Yul në Seul, Blinken tha se ”transferimi do të ishte në këmbim të mbështetjes ushtarake të Koresë së Veriut për luftën e Rusisë kundër Ukrainës”.

Sipas Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, Pheniani ka dërguar municion, armë të rënda dhe më shumë se 11 000 trupa në Rusi gjatë muajve të fundit për të mbështetur pushtimin e fqinjit të tij.

Blinken tha gjithashtu se Rusia besohet të jetë në prag të njohjes zyrtarisht të Koresë së Veriut si një shtet bërthamor.

Pak orë para konferencës për shtyp, Koreja e Veriut, e cila tashmë ka koka bërthamore, lëshoi ​​një raketë balistike drejt Detit të Japonisë.

Sipas një vlerësimi fillestar nga Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut, predha mund të jetë një raketë hipersonike.

Ky është testi i parë ushtarak i Koresë së Veriut për vitin e ri./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version