Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha: Do të përgjysmojmë taksat për naftën

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për mediet premtoi se kur të vijë në pushtet do të përgjysmojë taksat për naftën

Sipas Berishës çdo qytetar shqiptar që blen një litër naftë, “i paguan qeverisë për këtë litër nafte në mënyrën më kriminale 1 euro e 13 cent, që nuk ndodh në asnjë vend të botës”.

Berisha theksoi më tej se “çmimet stratosferike të naftës vijnë edhe për shkak të kontrabandës qeveritare të karburanteve”.

“Shqipëria në vitin 2013 me 480 mijë automjete, zhdoganonte 700 mijë tonë naftë. Kurse Shqipëria sot me dyfishin e automjeteve, zhdoganon 630 mijë tonë naftë”, tha Berisha.

Berisha premtoi se kur të vijë në pushtet çmimet do të jenë plus-minus 10 për qind me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

“Kosova naftën e merr kryesisht nga Durrësi. Pra nafta nga Durrësi shkon në Prishtinë, transportohet dhe shitet 40% më lirë. Merr fund kjo vjedhje e tmerrshme mbi shqiptarët”, tha Berisha.

Berisha shtoi më tej “sikundër garantoj shqiptarët se ngarkesa fiskale mbi naftën, që është mbi qytetarët, do të njohë një rënie drastike, do të përgjysmohet”.

“Do jetë kjo paketë e 100 ditëve, pjesë e paketës me të cilën ne synojmë t’u dëshmojmë shqiptarët se të ardhurat e tyre po rishpërndahen në një mënyrë më të ndershme dhe se do jenë ata përfitues kryesorë”, u shpreh Berisha.

/r.e//a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version