VJENË, 5 janar /ATSH-DPA/ – Partia konservatore Popullore Austriake (OVP) ka emëruar sekretarin e saj të përgjithshëm si udhëheqësin e saj të ri, pasi kancelari Karl Nehammer njoftoi dorëheqjen e tij nga posti, pas kolapsit të bisedimeve të koalicionit gjatë fundjavës.
Përfaqësuesit e lartë të OVP ranë dakord sot të emërojnë Christian Stocker, një politikan me përvojë që shihet si një menaxher i aftë i krizës, për të udhëhequr partinë pasi Nehammer të largohet, sipas burimeve të OVP.
Nehammer njoftoi vonë të shtunën se do të jepte dorëheqjen nga posti i tij si kancelar dhe udhëheqës i OVP pasi bisedimet mbi atë që do të kishte qenë një koalicion historik trepalësh me Partinë Social-demokrate të Austrisë (SPO) dhe partinë liberale NEOS dështuan.
Fillimisht mbeti e paqartë se kush do ta drejtonte qeverinë në detyrë deri në formimin e një koalicioni qeveritar.
Një nga qëllimet e bisedimeve njëjavore kishte qenë të mbante jashtë pushtetit Partinë e Lirisë të Austrisë (FPO), e cila doli si fituese e qartë nga zgjedhjet parlamentare të shtatorit.
Nehammer e kishte përjashtuar gjithmonë bashkëpunimin me FPO, por dorëheqja e tij mund t’i ketë hapur rrugën partisë së tij për të filluar bisedimet për formimin e një qeverie me të djathtën ekstreme.
Një tjetër opsion është që Austria të mbajë zgjedhje të reja./ a.jor.
