Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ekonomia parashikohet të zgjerohet me 3,9% në 2025-ën

TIRANË, 3 janar/ATSH/ Ekonomia e vendit parashikohet të zgjerohet me rreth 3,9 për qind në vitin 2025, e mbështetur nga kushtet e favorshme ekonomike, veçanërisht nga ecuria mjaft e mirë e sektorit të turizmit dhe aktivitetit të ndërtimit.

Gjatë periudhës afatmesëm 2025-2027, rritja parashikohet të vijojë trendin pozitiv me mesatarisht në nivelin 3,9% në vit, ndikuar nga zhvillimet e ekonomisë së brendshme dhe pritshmëritë për ekonominë globale dhe veçanërisht atë të Bashkimit Evropian.

Aktiviteti ekonomik do të vazhdojë të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, nga rritja e mëtejshme e konsumit privat, ashtu edhe nga investimet në infrastrukturë si dhe zhvillimi i sektorëve strategjikë si turizmi.

Në buxhetin e vitit 2025, programimi i të ardhurave buxhetore bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit ne ekonomi.

Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754,6 miliardë lekë ose 28,8% e PBB.

Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40,6 miliardë lekë ose 0,2% e PBB më shumë.

Programimi i të ardhurave buxhetore bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version