UASHINGTON, 31 dhjetor /ATSH-DPA/- Departamenti Amerikan i Thesarit tha se është goditur nga një sulm kibernetik kinez.
Në një letër drejtuar anëtarëve të Kongresit, departamenti tha se më 8 dhjetor, u informua nga një kompani softuerësh se një haker kishte marrë akses në distancë në vendet e punës të punonjësve të qeverisë dhe dokumentet lidhur me to.
Dokumentet nuk u klasifikuan si sekrete.
“Një aktor i sponsorizuar nga shteti kinez fshihej pas incidentit të madh të sigurisë kibernetike”, tha Departamenti Amerikan i Thesarit në letër, sipas New York Times dhe mediave të tjera kryesore.
“Në bazë të treguesve që disponojmë, incidenti i është atribuar një aktori të Kërcënimit të Përparuar (APT) të sponsorizuar nga shteti i Kinës”, citoi New York Times.
Ministria e Jashtme kineze hodhi poshtë akuzat kundër Pekinit dhe deklaroi se nuk kishte prova për to.
“Kina refuzon të gjitha format e hakerimit dhe kundërshton shpërndarjen e informacionit të rremë kundër Kinës për qëllime politike”, tha zëdhënësja Mao Ning në Pekin.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar Kinën për hakerime të sponsorizuara nga shteti prej vitesh, gjë që Kina e ka mohuar gjithmonë.
Në tetor u raportua se hakerët kinezë kishin shënjestrur të dhënat telefonike të presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump – në atë kohë ende kandidat presidencial – dhe kandidatit të tij J.D. Vance. //a.i/
