TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka përmbyllur vitin 2024 me një përmbledhje të aktiviteteve të kryera gjatë këtij viti.
Një prej aktiviteteve më të rëndësishme me rastin e 75-vjetorit të DPA-së, ishte tryeza e rrumbullakët e krerëve të arkivave të Ballkanit, të Evropës dhe më gjerë, për të ngritur ura bashkëpunimi. Me këtë rast u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me simotrat e Ukrainës, të Moldavisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjes dhe Hercegovinës, për të shkëmbyer përvojat dhe dokumentet me interes të ndërsjellët.
U prezantua Salla e Studimit dhe Videoteka Online, duke i sjellë arkivat në shtëpinë e çdo shqiptari.
4 muaj pas kalimit të tij në amshim, për herë të parë u shpalosën për publikun, dorëshkrimet e hierarkut të letrave shqipe, Ismail Kadare.
Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, DPA shfaqi në Kinemanë e Hapur dhe në “Auditor” 12 filma të kinematografisë shqiptare, për t’i njohur të rinjtë me betejën e të parëve, si edhe u zhvillua konkursi “Dokumenti im” mes nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, për të evokuar të shkuarën në mënyrë zbavitëse.
Gjatë 2024 DPA mbajti me dhjetëra ekspozita në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, mbi figura, ngjarje dhe përvjetorë me rëndësi në historinë kombëtare.
U çel Këndi Arkivor i Kamenicës, të 10-in në radhë në Kosovë, në vazhdën e nismës për të shërbyer në çdo vatër të shqiptarisë, njëjtë si në Tiranë.
U zhvillua Konferenca e VIII Mbarëkombëtare e Arkivistikës, që mblodhi në Elbasan arkivistë e studiues nga mbarë trojet, për të lëvruar arkivistikën si shkencë të posaçme.
U prezantua numri i radhës i revistës “Arkivat Shqiptare” dhe 4 botime studimore mbi tematika historike.
Gjithashtu u kryen trajnime dhe vizita të nxënësve dhe të studentëve, të cilët u njohën me pasuritë që strehojmë dhe me proceset e punës në DPA.
/a.f/
