Agjencia Telegrafike Shqiptare

Arratisen nga Komisariati i Policisë Elbasan dy të paraburgosur për vjedhje, arrestohet njëri

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Dy të arrestuar për vjedhje janë arratisur nga ambientet e Komisariatit të Policisë Elbasan.

Policia njofton se “mesditën e sotme, shtetasit E. P. dhe N. L., pas masës së sigurisë në Gjykatën e Elbasanit, të ndaluar më datë 28.12.2024, për veprën penale “Vjedhja”, pasi i kanë zbritur nga automjeti shërbimet e Policisë me qëllim kryerjen e procedurave për transferim në IEVP, këta shtetas kanë mundur të largohen me vrap nga ambientet e DVP Elbasan”.

Policia bëri të ditur se si rezultat i veprimeve policore është bërë e mundur kapja e njërit prej tyre, shtetasit E. P., dhe vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër, N. L.

Në lidhje me këtë rast, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit bën me dije se “ka nisur hetimin disiplinor ndaj punonjësve të Policisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version