TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas si më të madhin e rajonit.
“Sot jemi në një stad të ri dhe ky i pamendueshëm deri disa vite përpara ku në aeroportin e Rinasit në nëntor mbyllet bilanci me 10 milionë pasagjerë. Besoj që për këdo që nuk i vjen inat pse Shqipëria ecën kështu si po ecën për shkak se ka problem mënyrën si qeveris unë dhe si qeverisim ne më vjen shumë keq, por sot për të dytin vit kemi aeroportin më të madh të rajonit dhe jemi mbi Beogradin, që ka qenë kryeqendra e këtij rajoni denbabaden dhe e ka pasur aeroportin kryesor kur ne kishim një kotec pulash fluturuese në Rinas ku pulat numëroheshin në mëngjes e dhe kur dilnin nga koteci dhe numëroheshin në darke kur vinin në kotec. Kështu ka qenë e vërteta ju nuk e keni parë Rinasin në atë kohë”, theksoi Rama në konferencën e fundvitit me gazetarët.
Kryeministri Rama u shpreh se “më është dashur të fluturoj kur kemi shkuar në aktivitete ndërkombëtare të basketbollit. Përfytyroni një kafene me tavolina druri dhe mbulesa me katrore tekstil ku s’ka njeri. Dhe një banakier dhe një kamarier terminali po flas. Kaq ka qenë”.
“Ky është aeroporti ndërkombëtar i Tiranës sot dhe nuk e solli koha, por gjithë kjo punë kolosale që është bërë me vite”, tha Rama.
/k.s/ /a.g/
