TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “shumë e rëndësishme është kthesa që po merr edhe falë një përmirësimi dhe një rritjeje të vetëdijes në universitet kërkimi shkencor ku tanimë po shihen zhvillime të mëtejshme në thithjen e fondeve nga jashtë nga Bashkimi Europian apo nga bashkëpunime me universitete të tjera”.
“Kjo gjë që vjen edhe si rezultat i përpjekjes së madhe që ne bëmë dhe ia dolëm dhe ka qenë një nga rezultatet e samitit me Bashkimin Evropian këtu në Tiranë, të futjes së universiteteve tona në aleancën europiane të universiteteve, gjë që deri atëherë ishte vetëm për universitetet e Bashkimit Europian”, tha Rama në konferencën për shtyp të fundvitit me gazetarët.
Kreu i qeverisë Rama theksoi se “shifra 130 projekte të infrastrukturës dhe kërkimit shkencor është goxha domethënëse edhe pse domethënëse në raport me ecurinë nga ku e kemi nisur, por do të duhet të bëhet më shumë pa diskutim”.
“Nuk dua të përsëris atë që thashë për sa i përket laboratorëve smart duke folur për arsimin, por dua të them që në këtë vit janë ndërtuar dhe rindërtuar me themeli 100 shkolla të reja dhe kopshte dhe këtë vit është rritur numri i fëmijëve të angazhuar me skuadrat sportive në programin e përbashkët me Komitetin Olimpik Shqiptar. Kemi pasur një vit të rëndësishëm si viti i gjuhës shqipe. Kemi realizuar edhe një Kuvend të Gjuhës, po ajo që është më e rëndësishmja, kemi parë një rezultat të shumë pritur me dekada falë bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave dhe punës së bërë me Akademinë e Shkencave në draftin e parë të fjalorit të ri të gjuhës shqipe. Se kur është bërë fjalori i mëparshëm besoj e dini, ma ha mendja se shumë kush nga ju nuk kishte lindur akoma”, nënvizoi Rama.
Sipas tij, ka funksionuar ndryshimi i politikës me ekselencën në funksion të studentëve që vendosin të studiojnë në Shqipëri duke mos financuar më studimet jashtë. “Absolutisht programi i ngritur nga qeveritë e mëparshme ishte qëllimmirë, por faktikisht pjesa dërrmuese për të mos thënë të gjithë ata që merrnin para nga taksat e shqiptarëve për të studiuar në shkolla jashtë vazhdonin rrinin jashtë”, u shpreh Rama.
“Kjo nuk bënte më sens dhe po shikojmë tani një ndryshim të rëndësishëm me studentët që i marrin këto bursa, natyrisht jo aq të mëdha sa ç’merrnin ata që shkonin jashtë, por marrin bursa të konsiderueshme dhe që angazhohen të qëndrojnë në Shqipëri për një periudhe të konsiderueshme”, tha Rama.
/k.s/j.p/
