Agjencia Telegrafike Shqiptare

Koncerti festiv në sheshin “Skënderbej”, zërat më të dashur elektrizuan kryeqytetin

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Atmosferës festive të fundvitit, që mbretëron këtë dhjetor në sheshin Skënderbej, i janë shtuar zërat e mrekullueshëm të disa prej këngëtarëve më të dashur të muzikës tradicionale shqiptare.

Mbrëmjen e së dielës, sheshi Skënderbej ishte i tejmbushur nga qytetarë të moshave të ndryshme që ndoqën nga afër idhujt e tyre si Sinan Hoxha, Artiola Toska, Ylli Baka e Eli Fara në një koncert madhështor.

Të mëdhenj e të vegjël kënduan e kërcyen nën ritmet e muzikës folk duke krijuar një atmosferë elektrizuese.

Magjia e zërave të këngëtarëve shoqërohej nga dritat e dekori fantastik që ka zënë vend në shesh që me fillimin e sezonit të festave, duke krijuar një mjedis të veçantë për qytetarët e Tiranës dhe vizitorët e shumtë.

Ky koncert kulmoi një zinxhir koncertesh e shfaqjes festive në Tiranë, duke sjellë disa prej artistëve më të kërkuar nga publiku.

Në Tiranën si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut në vitin 2025, atmosfera festive do të vijojë deri në ditët e para të janarit për të sjellë më shumë magji për të gjithë qytetarët.

j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version