Agjencia Telegrafike Shqiptare

Inflacioni zbriti 2% në nëntor, Sejko: Rezultat i politikës monetare shtrënguese

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, foto: Agim Dobi


TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Vala e rritjes së çmimeve që ekonomia shqiptare përjetoi në vitin 2022, me nisjen e luftës në Ukrainë, erdhi në rënie, për të arritur në 2% në fund të muajit nëntor.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri të ditur se inflacioni ka ardhur në rënie të shpejtë, duke u rikuperuar plotësisht nga goditja që pësoi për shkak të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe arriti në nivelin 2% në nëntor të vitit 2024.

“Pas goditjeve që ka marrë jo vetëm ekonomia shqiptare, por edhe ajo rajonale e botërore nga kriza postpandemike e lufta në Ukrainë, inflacioni shënoi rënie. Si rezultat i politikës monetare shtrënguese që ne ndoqëm menjëherë dhe mbiçmimit të kursit të këmbimit, por edhe rënies së inflacionit te partnerët tanë tregtarë, ne kemi arritur një nivel inflacioni poshtë 3%, që është objektivi i Bankës së Shqipërisë. Pra ne jemi në nivelin mesatar prej 2%”, u shpreh Sejko në një video postuar në rrjetet sociale.

/r.e//a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version