UASHINGTON, 29 dhjetor /ATSH-AFP/ – Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter vdiq sot në moshën 100-vjeçare në shtëpinë e tij në Xhorxhia, njoftoi fondacioni i tij.
I tërhequr nga e gjithë jeta publike, presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara që shërbeu vetëm një mandat (1977-1981), ishte edhe fitues i çmimit Nobel për Paqen.
Paraqitja e tij e fundit ishte për të marrë pjesë në funeralin e gruas së tij, Rosalynn në nëntor 2023.
Ai ishte presidenti më i moshuar amerikan.
Një fermer kikiriku, Carter u zgjodh guvernator i Xhorxhias në vitin 1971.
Ai e mbajti këtë pozicion deri në vitin 1975.
Vitin pasues ai u zgjodh presidenti i 39-të i Amerikës.
Presidenca e tij u shënua nga dy ngjarje, Marrëveshja e Camp David në 1978 midis Egjiptit dhe Izraelit, dhe kriza amerikane e pengjeve në Iran, e cila kontribuoi në humbjen e tij për një mandat të dytë.
Pasi u mund në zgjedhjet presidenciale nga Ronald Reagan, Carter ia kushtoi energjinë e tij qendrës ”Carter”, të themeluar në 1982: ajo është një qendër aktive për kujdesin shëndetësor, demokracinë dhe çështje të tjera.
Përpjekjet e tij pas presidencës i dhanë atij çmimin Nobel në 2002.
Carter njoftoi në vitin 2015 se vuante nga kanceri i mëlçisë që ishte përhapur në pjesë të tjera të trupit të tij, për të cilin iu nënshtrua disa operacioneve.
Gushtin e kaluar ai i tha djalit të tij, Chip se e vetmja gjë që kishte në mendje ishte të mposhtte Donald Trump dhe se shpresonte të jetonte mjaftueshëm për të votuar për Kamala Harris./ a.jor.
