Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mbrëmje gala e fundvitit në teatrin “Skampa” në Elbasan

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Në një atmosferë magjike, si çdo fundvit, Teatri “Skampa” në Elbasan ngriti siparin mbrëmë me Mbrëmjen Gala 2024, duke dhuruar një spektakël të jashtëzakonshëm artistik. Nën interpretimin e Orkestrës Filarmonike të Elbasanit dhe artistëve të njohur e të rinj, publiku pati mundësinë të shijojë një udhëtim muzikor që ndërthurte traditën dhe inovacionin.

Programi i kësaj mbrëmjeje unike solli interpretime të nivelit të lartë profesionalizmi, nga ritmet elegante të Vjenës, deri tek pasioni i tangos argjentinase. Artistët e ftuar, përfshirë sopranon Ulpiana Aliaj, tenorin Xhoiden Dervishi, solisten në klarinetë Eviord Ngjeliu dhe solistin në kitarë Gentian Myftaraj, nën dirigjimin e Deniola Kurajas ngritën peshë zemrat e spektatorëve me performanca që flisnin drejtpërdrejt me shpirtin.

Mbrëmja u moderua me elegancë nga Jonida Vokshi dhe Xhani Shqerra, ndërsa drejtimi artistik i Zeqir Sulkuqit u përkujdes për të sjellë një natë të paharrueshme.

Kryetari i bashkisë Gledian Llatja, gjatë fjalës së tij, vlerësoi artistët dhe punën e tyre të palodhur, duke nënvizuar rolin e Elbasanit si një qendër të rëndësishme të artit dhe kulturës.

Grand Gala 2024 konfirmoi edhe një herë se Elbasani mbetet një burim i pashtershëm talentesh dhe frymëzimi artistik, duke i dhuruar publikut një festë të jashtëzakonshme të artit dhe muzikës.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version