PRISHTINË, 29 dhjetor /ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka regjistruar të shtunën shifrën prej katër milionë pasagjerësh për vajtje-ardhje vetëm gjatë këtij viti.
Kryeministri Albin Kurti tha se gjatë vitit 2024 ka pasur dyfishim të numrit të pasagjerëve dhe destinacioneve të reja për udhëtim. Ai tha se është investuar në avancimin e pistës së uljeve, e cila ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të fluturimeve.
Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Valentina Gara tha se në vajtje dhe ardhje nga janari e deri më tani kanë udhëtuar katër milionë pasagjerë.
Udhëtari me “numrin” katër milionë ka qenë një çift nga diaspora, të cilët kanë fituar një sërë dhuratash nga aeroporti – Fatime dhe Xhevdet Gaxherri nga Juniku, të cilët shprehen të lumtur që janë pjesë e shënimit të numrit prej katër milionë udhëtarësh në Aeroportin e Prishtinës.
2024 është viti kur qytetarët e Kosovës nisën të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, ku edhe përmes aeroportit “Adem Jashari” fluturimet janë më komode e më të shpejta.
