UASHINGTON, 27 dhjetor /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj themeluesit dhe kryetarit të nderit të partisë “Ëndrra Gjeorgjiane”, Bidzina Ivanishvili.
“Veprimet e tij kanë mundësuar abuzime të të drejtave të njeriut dhe kanë dëmtuar të ardhmen demokratike dhe evropiane të popullit gjeorgjian për të mirën e Federatës Ruse”, tha sot zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Matthew Miller.
Miliarderi Ivanishvili është në qendër të tensioneve në rritje në Gjeorgji pas zgjedhjeve parlamentare në tetor.
Indikacionet për parregullsi në zgjedhje dhe njoftimi i qeverisë se do të ngrinte procesin e anëtarësimit të vendit në BE deri në vitin 2028 – shkaktuan protesta masive në të cilat shumë demonstrues u plagosën dhe disa qindra të tjerë u arrestuan.
Policia akuzohet për dhunë dhe torturë.
Sanksionet ndaj Ivanishvili janë më të fundit në një seri masash të vendosura nga SHBA-ja dhe vende të tjera kundër udhëheqjes së Gjeorgjisë – e cila konsiderohej prej kohësh aleate e ngushtë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Vetë BE-ja ka dështuar në vendosjen e sanksioneve të planifikuara për shkak të rezistencës së Hungarisë dhe Sllovakisë.
Sanksionet e SHBA ngrijnë çdo pasuri të individëve në SHBA dhe i ndalojnë ata të bëjnë biznes me shtetasit amerikanë ose persona që operojnë në vend, duke e bërë biznesin ndërkombëtar shumë më të vështirë. //a.i/
