TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi hetimet dhe ka dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (GJKKO) katër të pandehur për trafikim të lëndëve narkotike.
Konkretisht SPAK ka dërguar për gjykim: “Islam Sefa (alias Xaka) – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme: i. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 9 episode (ai para datës 08.04.2020, dhe episodet e datave 08.04.2020, 30.04.2020, 15.05.2020, 22.05.2020, 29-31.05.2020, 02.02.2021, 24.02.2021 si dhe 01.03.2021); “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit.
Hajdar Lala (alias Xaka, alias Sefa) – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 4 episode (të datave 08.04.2020, 30.04.2020, 22.05.2020 dhe 29.05.2020); “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit.
Vidjan Baroka – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 4 episode (të datave 08.04.2020, 08.04.2020, 30.04.2020, 22.05.2020); “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes. Durim Xaka – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 7 episode (ai para datës 08.04.2020, dhe episodet e datave 08.04.2020, 30.04.2020, 15.05.2020, 22.05.2020, 29-31.05.2020 dhe 02.02.2021); “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes”.
Sipas SPAK nga tërësia e hetimeve të kryera, bashkëpunimi gjermano-shqiptar në luftën kundër krimit të organizuar dhe duke u bazuar tek komunikimet e zhvilluara në platformat e enkriptuara, EncroChat dhe SkyEcc, janë administruar prova në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale, të cilat, kanë identifikuar 12 persona, 8 prej të cilëve janë shtetas shqiptarë dhe 4 shtetas gjermanë, të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal të trafikimit të narkotikëve. Sasia e lëndës narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja dhe pasi futej në territorin gjerman tregtohej në rajonet Wolfsburg, Magdeburg, si edhe në shtete të tjera të Bashkimit Evropian.
SPAK thotë se nga hetimet ka rezultuar dhe është provuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre gjatë viteve 2020-2021 kanë trafikuar në Gjermani, sasinë prej mëse 1000 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë, vlera e së cilës arrin shumën e 3 374 400 (tremilionë e treqind e shtatëdhjetë e katër mijë e katërqind) euro.
“Nga aktet e administruara për këtë procedim penal ka rezultuar dhe është provuar se të pandehurit, Islam Sefa (alias Xaka), dhe Hajdar Lala (alias Sefa, alias Xaka) kanë pasur rol drejtues dhe financues në veprimtarinë e paligjshme kriminale të trafikimi të narkotikëve, ndërsa të pandehurit, Vidjan Baroka dhe Durim Xaka dhe bashkëpunëtorët e tyre të proceduar dhe dënuar në Gjermani, kanë pasur rol ndihmues”, njofton SPAK.
SPAK shton se me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto episode, është proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr. 150 të vitit 2022, numërtimin si procedimi penal Nr. 150/1 i vitit 2024, dhe vijimin e hetimeve.
/r.e/a.f/
