TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani siguroi sot se të gjitha strukturat e specializuara të qeverisë shqiptare janë thelbësisht të angazhuara që asnjë situatë e paparashikuar të mos ndodhë.
Në takimin e fundvitit me gazetarët, ministri Hasani iu përgjigj interesimit të tyre nëse Shqipëria është e rrezikuar nga akte terroriste, duke marrë shkas edhe nga ngjarja që ndodhi në Gjermani.
“Zoti na ruajt! Të gjitha strukturat e specializuara të qeverisë shqiptare janë thelbësisht të angazhuara që asnjë situatë e paparashikuar të mos ndodh. Ka një angazhim maksimal në çdo moment, në çdo situatë nga institucionet e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në Republikën e Shqipërisë, që të gjithë ne, qytetarët e këtij vendi, të kemi një jetë sa më normale, sa më të qetë dhe pa probleme”, u shpreh Hasani.
Hasani foli edhe për ngjarjen që ndodhi në Gjermani, ndërsa u shpreh se duhet të ruhet i njëjti nivel vëmendje edhe për sa i përket rajonit.
“Pa dyshim që ajo që ndodhi në Gjermani ishte e tmerrshme. Ne i shprehëm ngushëllimet popullit gjerman, familjeve të atyre që humbën jetën. Ne do ta vazhdojmë të ruajmë të njëjtin nivel vëmendje dhe për sa i përket rajonit. Është e rëndësishme të kuptojmë se diçka që ndodh pranë kufirit tonë, shumë shpejt mund të vijë dhe brenda nesh, ndaj nuk duhet lënë jashtë vëmendjes”, tha ai.
Për sa i përket Kosovës, Hasani nënvizoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët në shumë sfida, që kanë të bëjnë me prosperitetin edhe mirëqenien e gjithë qytetarëve të vendeve të rajonit.
/m.m/r.e/a.f/
