Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Shiroka e bukur edhe në të ftohtin e dimrit

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Shiroka, një nga lagjet më të bukura të Shkodrës, edhe në këto ditë dimri tërheq vëmendjen e vizitorëve vendas, por edhe të atyre më të largët.

“Shiroka e bukur edhe në të ftohtin e dimrit”, shkroi kryeministri Rama në rrjetet sociale, për një prej bukurive të Shkodrës, që gjendet vetëm 4 kilometra larg qytetit, pasi lë Urën e Bunës.

Kryeministri Rama publikoi sot disa fotografi nga Shiroka, një bukuri mahnitëse buzë liqenit të Shkodrës dhe rrëzë malit të Taraboshit.

Vitet e fundit në Shirokë janë kryer investime të cilat i kanë ndryshuar faqen, duke i dhënë një rrugë të re, pedonalen, brigjeve të liqenit, rehabilitimin e plazheve të vogla dhe së fundmi edhe moli për varkat lundruese.

Ajri i freskët, që vjen nga thellësitë e Alpeve, filtrohet në ujërat e liqenit dhe vjen i shëndetshëm këtu, duke e bërë Shirokën një nga joshjet më të veçanta për të kaluar disa orë ndryshe për shkodranët, por edhe për turistët vendas dhe të huaj.

Shiroka, e njohur edhe për vetitë kuruese, ka një histori qindravjeçare dhe kjo mund të vërtetohet nga disa zbulime arkeologjike, në vendin e quajtur “Ullini i vetun”, të cilat sot gjenden në muzeun e qytetit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version