Agjencia Telegrafike Shqiptare

KIEV – Zelensky i kërkon Kinës të ushtrojë presion mbi Korenë e Veriut lidhur me trupat e dislokuara përkrah forcave ruse

KIEV, 27 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Kinës të ushtrojë ndikim në Korenë e Veriut – në përgjigje të dislokimit së ushtarëve të Koresë së Veriut përkrah trupave ruse në luftën në Ukrainë.

“Vendi korean nuk duhet të humbasë popullin e tij në betejat në Evropë”, tha Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes.

“Nëse Kina është e sinqertë në deklaratat e saj se lufta nuk duhet të përshkallëzohet, ajo duhet të ushtrojë presionin e duhur mbi Phenianin”, shtoi ai.

Kina është aleati më i ngushtë i vendit të izoluar komunist.

“Moska po përdor kryesisht trupat e Koresë së Veriut në përpjekjet e saj për të rimarrë zonën ruse të Kurskut, e cila është pjesërisht e pushtuar nga trupat ukrainase”, tha Zelensky.

“Ne po shohim se ushtria ruse dhe forcat e Koresë së Veriut nuk kanë aspak interes për mbijetesën e këtyre koreanëve”, shtoi Zelensky.

“Gjithçka po bëhet për të shmangur kapjen e ushtarëve të Koresë së Veriut nga ushtria ukrainase”, tha ai, duke pretenduar se trupat e Koresë së Veriut preferojnë të vrisnin njëri-tjetrin sesa të kapeshin rob.

Ky pretendim nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Koreja e Veriut thuhet se ka dërguar rreth 10 000 trupa në Rusi për të mbështetur Moskën në luftën e saj kundër Kievit.

Më herët, agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut “Yonhap” raportoi se një ushtar i kapur nga Koreja e Veriut kishte vdekur nga plagët e marra gjatë luftimeve në Rusi.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, Zelensky tha se disa trupa të Koresë së Veriut ishin kapur dhe kishin vdekur nga plagët. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version