Agjencia Telegrafike Shqiptare

U pyet në SPAK, Veliaj: Jam denoncuar në mënyrë anonime

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj reagoi sot në mbledhjen e këshillit bashkiak për paraqitjen në SPAK.

Veliaj u shpreh se është denoncuar në mënyrë anonime.

“Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni, i cili është një personazh që nuk ekziston, si për të na kthyer mallin e letrave anonime”, tha Veliaj.

“Unë e kuptoj që disa njerëz që nuk na mundin dot në betejë, nuk na mundin dot në zgjedhje janë kthyer në zanatin e letrave anonime”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj nënvizoi se, “Nesti Angoni nuk ekziston, të gjithë e dimë kë përfaqëson ky emër, çfarë mentaliteti përfaqëson dhe çfarë kulture linçuese përfaqëson ky stil”.

“Megjithatë dhe duke qenë se Kryetari i Bashkisë ka në zotërim të gjithë regjistrin civil dhe mund të verifikojë qartazi që është një kurth i sajuar, kam qenë bashkëpunues”, shtoi Veliaj.

Ai theksoi se, do të ishte shqetësuese nëse kryetari i bashkisë edhe për kurthe anonime nuk paraqitet.

“E di gjithë Tirana ku jetoj unë, e di gjithë Tirana ku banoj unë, ku isha përpara zgjedhjeve, ku vazhdoj mbas zgjedhjeve dhe ku do të jem deri në fund të kësaj detyre”, tha Veliaj.

“Unë hyj tek ajo racë politikanësh që nuk i thotë SPAK-ut, SKAP kur s’i intereson dhe i thotë SPAK kur i intereson për kundërshtarët e vetë. As nuk kam bërë antiprotesta, as nuk kam bërë letër anonime, se vij nga një brez jo i letrave anonime”, u shpreh Veliaj.

“Këtu do të jemi në maj do ju mundim me gjithë letrat anonime, me gjithë kurthe dhe me gjithë klithmat e hienave. Këtu do të jemi dhe do e shikoni se ku është populli”, përfundoi Veliaj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version